Qëllimi i shkrimit tim, është promovimi i vlerave historike dhe traditës së formimit të shtetit nga shqiptarët nga “Shteti i Arbërit, deri tek Arbëria e Shekujve të “Humanizmit Europian”. Historia na mëson se, në shekuj janë bërë përpjekje të mëdha të feve dhe të modeleve të shtetit. Prandaj, njerëzimi deri sot nuk ka arritur të krijojë një model më të mirë të Shtetit të së drejtës që të garantojë të ardhmen e vet. Për mijëra vite me radhë shqiptarët kanë zgjedhur dhe vendosur rregullat dhe kodet e tyre etike që nuk lidheshin as me fenë e as me shtetin, por me të drejtën! Pra, “e drejta” për shqiptarët ka qenë themeli i ndërtimit të jetës në kohën kur tek ne, nuk kishte dhunë, ushtri, polici dhe as burgje. E megjithë këtë e drejta është rregulluar me ndërgjegje, duke e bërë çdo njeri, më të dobishëm për komunitetin dhe më kundërshtues për sjelljet e këqija ndaj shoqërisë. Liderët e pleqësia në këtë periudhë, u shërbenin njerëzve pa interes dhe pa përfitime. Liderët ishin të barabartë me popullin. Përfitimet për liderët në atë kohë kishin pasoja të rënda dhe dënoheshin deri me largim nga shtëpia dhe përfaqësimi, por edhe me djegien e shtëpisë dhe të pronës. Në kodin etik të atëhershëm thuhej se, shqiptarët duhet të përparojnë vetëm në bazë të aftësisë, të mundit dhe të djersës së tyre. Ata duhet të ishin të barabartë edhe në ndëshkimet pavarësisht hierarkisë. Vendi drejtohej nga kuvende demokratike dhe organe të pleqësisë. Asokohe etika e sjelljes mësohej që në moshën e fëmijërisë dhe duhej të zbatohej me ndërgjegje të lartë nga të gjithë. Arbëria, 800-vjet më parë ka qenë Tempull më i mirë i së drejtës. Progoni dhe bijtë e tij të Arbërisë udhëhoqën vendin sipas zakoneve e dokeve të vendosura nga pleqësia, si edhe me pjesëmarrjen e gjithë vegjëlisë. Gjatë gjithë viteve të Mesjetës, Mirdita është quajtur Ndërfandi, emër të cilin e gëzonte sepse ndodhej ndërmjet dy lumenjve, Fandit të madh dhe Fandit të Vogël.
Studiuesi mirditor Nikoll Loka në veprën e tij “Principata e Arbërit” provon shkencërisht se, Ndërfandina ku përfshihet edhe Gëziqi nuk ka qenë aspak fshat, e aq më tepër i humbur, por ajo ka qenë një qendër e rëndësishme urbane, me manastirin benediktian dhe me mbi 15 kisha, të cilat ishin qendra të rëndësishme kulture.
Në vitin 1907 konsulli Austro-Hungarez Theodor Ippen ka zbuluar një mbishkrim në latinisht në traun e mermertë që mbante portën e Qelës të kishës së Shën-Mërisë në Gëziq të Ndërfandinës dhe pranë tij edhe një stemë heraldike, e cila paraqiste një shqiponjë. Shqiponja është e gdhendur në gurë dhe ka vetëm një kokë të kthyer nga e djathta me dy krahë të hapur gati për fluturim. Shqiponja në sqep mban një unazë që është simbol i pushtetit. Është shkruar se, në rrënojat e Katedrales së Shën-Mërisë në Gëziq të Ndërfandës në Mirditë është gjetur edhe stema e shtetit të Arbërit me gjithë mbishkrimin epigrafik dhe me shqiponjën me një kokë. Stema e zbuluar në Gëziq është stema e dinastisë së Progonatëve. Theodor Ippen mundi të zbulonte pesë nga copat e traut të mermertë, të cilat janë përdorur si materiale ndërtimi në kishën e re të Gëziqit.
Ndërsa Prof. Dhimitër Shuteriqi arriti të gjetë tri copa të tjera, kështu që numri i tyre arriti në tetë copa. Profesor Shuteriqi duke hulumtuar fragmentet e copëtuara të traut të mermertë në portën e kishës së Gëziqit, mundi të dëshifronte emrat Progon dhe Dhimitër me bindjen se, bëhej fjalë për principatën e Arbërit.
Gjithashtu disa studiues dhe arkeologë austriakë një pjesë të këtyre gurëve me mbishkrimet dhe Stemën e Arbërit, i kanë vënë në muret e Kishës së Arbërit në Gëziq në Ndërfandi të Mirditës. Banorët e kësaj qendre fetare e kanë mbrojtur me fanatizëm kishën e tyre të Shën-Mërisë, gjatë gjithë historisë dhe lëvizjeve antifetare. Në vitin 1981, fragmentet e këtyre gurëve e mbishkrimet e tyre bashkë me Stemën e Arbërit u dorëzuan në Muzeun Arkeologjik në Tiranë. Specialisti Koço Zheku i bashkoi tetë copat e arkivtraut të mermertë që arritën në 1,6 metra gjatësi, si edhe arriti që deri diku të dëshifroi mbishkrimin.
Në këtë mbishkrim përmendeshin emrat e Progonit dhe Dhimitrit, të cilët qenë themeluesit e sundimtarët e Principatës së Arbërit në vitet 1190-1215. Injac Zamputi është një tjetër zë, që ka kontribuar në përkthimin e mbishkrimit në traun e mermertë në një tekst të mirë-lexueshëm.
Por megjithëse ka kaq shumë dëshmi e dokumenta arkivorë për Principatën e Arbërit në Mirditë, nuk është folur sa duhet dhe nuk i është dhënë vendi e rëndësia e duhur. Aty ka qenë edhe selia e prijësit Progon dhe bijve të tij, Gjin e Dhimitër në vitet 1190-1215. Principata e Arbërit arriti kulmin e fuqisë gjatë sundimit të Dhimitrit. Principata e tij kishte tiparet e një shteti me institucione të veta, ku në krye të saj kishte pleqësinë (rregullat), gjykatës dhe nënshtetasit e vet. Kështu që ne mendojmë se, është lënë në hije filozofia dhe arritjet e Arbërisë sa i takon modelit të demokracisë dhe shtetformimit që buronte në pjesmarrjen e gjithë qytetarve në qeverisjen e vendit në atë kohë. Në vitin 1213 Princ Dhimitrit iu dha titulli më i lartë i asaj kohe nga Selia e Shejtë. Me gjithë këtë, për fat të keq, periudha e Arbërit mbeti pa u ndriçuar për shumë shekuj me radhë. Kjo sepse, Arbëria u sundua nga shumë pushtime barbare, përfshi këtu edhe sistemin komunist. Por populli i krahinës së Mirditës i ruajti kodet etike të shtetit të Arbërit deri në ditët tona. Prandaj, për këto kode etike të Shtetit të së Drejtës sot duhet të bëhen studime e promovime sa më shterruese.
Me rënien e sistemit komunist ka pasur një interesim shumë të veçantë të Kryeministrit dhe të studiuesit brilant Z. Aleksandër Meksi. Për promovimin e këtyre vlerave etike të Shtetit të Arbërit, ai dëshironte që të ndërtonte muzeun e Arbërit pranë Kishës kryesore të Kryeqendrës së Arbërit në Gëziq të Mirditës. Por për mungesë fondesh, muzeu nuk u ndërtua kurrë as nga Qeveria e Z. Meksi, as nga Bashkia e Mirditës, por as edhe nga komuniteti i studiuesve në qendër apo në bazë. Megjithë këtë Z. Meksi ka meritën sepse me zë e figurë ka thënë: “Shteti i Arbërit u ngrit në Mirditën e sotme”.
Ndërsa studiuesi Maikom Zeqo duke folur për shtetin e Arbërit ka deklaruar: “Dokumentet për shtetin e Arbërit janë të pakta”. Dokumenti më substancial dhe më i pazëvendësueshëm është mbishkrimi i famshëm i Gëziqit, që sot është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ky mbishkrim është në gjuhën latine si një element kulturologjik i patjetërsueshëm i ritualit roman.
Ai u zbulua nga Theodor Ippen në vitin 1901, por u rigjet edhe në vitin 1966 nga Prof. Dh. Shuteriqi. Ky tekst u studiua nga Injac Zamputi, me një llogjikë unitare, por montimi i tij është konfidencial, pra jo përfundimtar. Informacioni është i jashtëzakonshëm. “Analiza kaligrafike e paleografike kërkon një studim më vete”.
Ndërsa Prof. Kristo Frashëri ka thënë: “Historianët objektivë e vlerësojnë formimin e shtetit të parë të një populli si veprën madhore të historisë së tij mesjetare”. Principata e Arbërisë e viteve 1119-1215 është formacioni i parë shqiptar shtetëror. Si proces historik, formimi i tij nënkupton për ne, vetëm fillimin e një diferencimi të ri shoqërorë, plasaritjen e bashkësive krahinore, zhvillimin e lidhjeve ndërkrahinore, dobësimin e ndjenjës së fisit e zëvendësimin me ndërgjegjen e kombësisë. Në asnjë vend, shtetet e para nuk i kanë përfshirë që në fillim mbarë trojet e tyre etnike. Me formimin e shtetit të parë, që kudo ka qenë i cunguar, fillon prirja e madhe që mbulon krejt Mesjetën, zgjerimin e kufijve politik deri në kufijtë linguistik të etnisë. “Rëndësia e shtetit të Arbërit është e jashtëzakonshme në jetën politike të shqiptarëve”.

Ndonëse në vitin 1216 shteti i Arbërit pushoi së funksionuari. Ai nuk u asgjësua përkundrazi vijoi funksionet gjysmë autonome nëpërmjet asaj që njihet si vetëqeverisje e maleve duke krijuar mundësinë e krijimit të klasës feudale dhe të nacionalizmit shqiptar. Por natyrshëm lind pyetja: A kemi gjë të shkruar në tekstet tona për këtë pjesë të historisë së popullit tonë? Për fat të keq përgjigja është jo. Mjafton të përmendim faktin që edhe në kolanën katër vëllimëshe në “Historinë e Shqipërisë”, botim i para viteve 90-të, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për Shtetin e Arbërit, nuk është shkruar asnjë faqe e plotë. Ndërkohë që aty, ka faqe të tëra “historie” ku trajtohen çështje pa asnjë vlerë ose edhe për probleme që u ka ikur koha. Por ne ende sot, nuk dimë akoma asgjë, se sa dhe si do të pasqyrohet historia e Shtetit të Arbërit në botimin e ri akademik të kësaj Historie. Prandaj ne sot duhet të bashkëpunojmë, të debatojmë, të rivlerësojmë dhe të pasqyrojmë gjithë Historinë e Shtetit të Arbërit në tekstin e ri, mbasi ajo është një përvojë e madhe dhe një kilometrik për shtetin e së drejtës për të cilën kemi shumë nevojë. Sigurisht edhe për këtë duhen bërë konferenca të veçantë, por edhe të vendosen disa emra të rinj rrugësh, ngjarjesh, heronjsh, si edhe të ngrejmë lapidarë për ngjarje të tilla historike dhe emra të veçantë. Për sa kemi parë e dëgjuar deri më sot, për Principatën dhe Shtetin e Arbërit është bërë e shkruar pak. Megjithë këtë ne sot jemi shpresë plotë, më shumë se asnjëherë tjetër mbasi po punohet seriozisht nga dy subjekte për të ndriçuar këtë pjesë të historisë së popullit shqiptar. Këto subjekte janë Komiteti i Pajtimit Mbarkombëtar Shqiptar dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë që kanë mbështetur njëri-tjetrin. Pikërisht për këto arsye, me rastin e 800-vjetorit të Shtetit të Arbërit, Komiteti Pajtimit Mbarkombëtar Shqiptar me kryetar Prof. Gjin Markun bashkë me Akademin e Shkencave të Shqipërisë me kryetar Z. Skënder Gjinushi, në datat 9-10 tetor 2023, zhvilluan në Gëziq të Mirditës dhe në Tiranë konferenca shkencore për qendrën historike të Shtetit të Arbërit për modelin dhe rolin e tij. Aty u bë promovimi i vlerave historike dhe i traditës së shtetformimit të shqiptarëve. Për dy ditë rrjesht si asnjë herë tjetër u referuan 42 kumtesa nga studiues dhe albanologë të shquar të fushave të ndryshme. Në konferencë referuesit theksuan se, Mbretëria e Arbërit ka qenë tempull i së drejtës me një demokraci të plotë dhe barazi për gjithë qytetarët. Së dyti nga Principata e Arbërit (1190-1215) u kalua në Mbretërinë e Arbërit 1216-1273).
Prandaj mendojmë se, u arrit qëllimi i kësaj konference në promovimin e vlerave historike dhe i traditës së shtet formimit tek shqiptarët nga “Shteti i Arbërit” tek Arbëria e shekujve të humanizmit Europian. Ditën e dytë, në 10 tetor 2023 akademikun ynë i talentuar Pëllumb Xhufi në fillim të seancës plenare ka deklaruar: “Në kapërcim të shekujve të XII-XIII, në pjesën qëndrore të trojeve shqiptare dëshmohet më së miri ekzistenca e një formacioni shtetëror shqiptar, që në historiografi quhet shteti apo principata e Arbërit”. Dokumentacioni historik e dëshmon këtë formacion me tiparet karakteristike të një shteti mesjetar me një organizim dinastik dhe hierarkik me mbulim të funksioneve kryesore shtetërore, duke filluar nga funksioni i mbrojtjes, ai i politikës së jashtme, i financave, i ligjshmërisë dhe deri tek funksioni ideologjik i mbrojtjes së besimit”. Prandaj mbetet të falenderojmë Komitetin Mbarkombëtar të Pajtimit, si edhe Akademinë së Shkencave të Shqipërisë dhe drejtuesit e tyre kryesor, që deklaruan me zë e me figurë për ekzistencën e Shtetit të Arbërit. Aty është thënë se, shqiptarët 800-vjet përpara Europës, e kanë themeluar shtetin e tyre të së drejtës si mjet paqeje e shërbimi bazuar mbi virtytin, moralin e drejtësinë duke transmetuar një shembull unikal të kulturës së ligjit. Shteti i Arbërit u themelua në Mirditë dhe u përhap në të gjithë Arbërinë nga lumi Drin deri në Shkumbin, si zakon dhe kulturë e ligjit duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe identitetin kombëtar shqiptar. Shteti i Arbërit udhëhoqi Mirditën për 800-vjet pa ushtri, pa polici, pa burgje, pa taksa e pa protesta, por me kode etike, ndërgjegje të lartë dhe drejtësi. Për gjithë sa shkruam më sipër, u konsultuam me disa materiale arkivore, si dhe me materialin që dispononte Prof. Gjin Marku, por edhe me dëgjesat e referuesve në seancat plenare në konferencat shkencore të 9-10 tetor 2023 si i ftuar dhe pjesëmarrës në Gëziq dhe Tiranë. Jam shumë falenderues për rezultatin e kësaj konference shkencore e për organizatorët kryesorë të saj, mbasi kanë bërë punë shumë të mirë.