Gaspar (Gaspër) Jakova Mërturi lindi në vitin 1870 në Shkodër, në veri të Shqipërisë, në një periudhë të zgjimit kombëtar dhe të ringjalljes kulturore të njohur si Rilindja Kombëtare. Ai u arsimua në traditën jezuitë, duke hyrë në Shoqërinë e Jezuite në rininë e tij dhe më vonë u shugurua si prift katolik. Formimi i tij jezuit e vuri në kontakt me letërsinë klasike italiane dhe me humanizmin katolik, që do të ndikonin thellësisht në veprimtarinë e tij të mëvonshme letrare dhe politike.
Në një fazë të vonëshme të jetës, Mërturi u largua nga priftëria, një kthesë që shënoi ndarjen e tij nga jeta fetare dhe orientimin drejt karrierës intelektuale e kombëtare. Megjithatë, arsimi i tij jezuit vazhdoi të ndikonte në punën e tij, sidomos në interesin për prozonë, metrikën klasike dhe filozofinë. Brenda qarqeve intelektuale shqiptare dhe italiane, ai u njoh si një dijetar dhe poliglot i kulturuar, që ndërthurte dimensionin fetar, politik dhe letrar. Duke sintetizuar të dhëna nga burime historike, botimet e tij dhe dëshmi bashkëkohëse dhe duke trajtuar me kujdes kundërthëniet e dukshme krijohet një portret koherent i këtij personazhi të ndërlikuar. Ekspozimi i tij i hershëm ndaj modeleve letrare italiane dhe evropiane veçanërisht përmes arsimit kishtar reflektohet më vonë në krijimtarinë e tij poetike, ku dallohet ndikimi i poetit italian Giosuè Carducci dhe risive të tij stilistike.Karriera, angazhimi politik dhe kontributi letrar:
Pas largimit nga Shqipëria, Mërturi u vendos në Itali, ku u përfshi në rrjetet intelektuale italo-shqiptare të Romës dhe Fraskatit. Ai punoi si mësues në Kolegjin e Shën Adrianit dhe u bë një publicist aktiv, duke promovuar çështjen shqiptare në opinionin publik evropian.
Si shkrimtar, Mërturi njihet si poet që u përpoq të adaptone format prozodike të Carduccit në poezinë shqipe, duke u larguar nga traditat e rrepta metrike. Edhe pse krijimtaria e tij poetike përshkruhet si e kufizuar, bashkëkohës si Luigj Gurakuqi vlerësuan ambicien e tij teknike. Përveç poezisë, interesat e tij shkencore shtriheshin në fushën e historisë dhe politikës shqiptare, gjë që shihet qartë në botimet e tij letrare dhe historike ku tregojnë një përpjekje për të bashkuar identitetin kombëtar shqiptar me mendimin evropian, si:
• Genealogie dei Principi Albanesi (1904)
• Il V centenario della nascita di Giorgio Kastriota-Skanderbegh (1404–1904)
• Commemorazione storica (1904)
• La questione d’Oriente e l’Albania (1905)
• GRAMMATICA della Lingua Albanese (1904)
Në këto vepra, Mërturi paraqet një lexim historik dhe diplomatik të çështjes shqiptare, duke e vendosur atë në kuadrin e më të gjerë të “Çështjes Lindore” dhe zhvillimeve gjeopolitike të Ballkanit, ku e paraqesin Mërturin si një intelektual të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Stili i tij është i përshkuar nga saktësi historike dhe frymë patriotike, me synimin për të “ndriçuar opinionin evropian” mbi të drejtat dhe reformimet e nevojshme në vilajetet shqiptare të Perandorisë Osmane.

Në të njëjtën kohë, Mërturi ishte gazetar dhe organizator i palodhur. Pasi u vendos në Itali, ai u punësua si instruktor në Kolegjin e Shën Adrianit, ndërsa në Romë u bë një figurë qendrore e shtypit të diasporës shqiptare. Në qershor të vitit 1904, ai bashkëpunoi me italo-shqiptarin Anselmo Lorecchio për të nisur gazetën ditore Agenzia Balcanica ed Italiana, me synimin për të informuar opinionin publik evropian mbi çështjet ballkanike por gjithashtu trajtonte çështje politike, ekonomike dhe tregtare.
Më e rëndësishmja, më 15 shtator 1904, ai filloi botimin e The Herald of Albania (L’Araldo d’Albania), një periodik dyjavor që avokonte hapur për pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Në këtë rol, ai shërbeu gjithashtu si mentor për të rinjtë rilindas, duke nxitur talente si Luigj Gurakuqi, që më vonë do të bëhej një figurë qendrore e politikës shqiptare.
Në fushën e letërsisë, Mërturi u ndikua nga poeti italian Giosuè Carducci. Siç theksohet në botimet në kritikën e kohës (1957:108–109), ai u përpoq të adaptojë në shqip eksperimentet prozodike të Carducci-t, duke u përqendruar më shumë në ritëm dhe tingull sesa në metrikën klasike. Kështu, ai qëndron pranë figurave si Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda, të cilët synonin ta ngrinin poezinë shqipe në nivelin e letërsive evropiane.
Veprimtaria e tij politike nuk kufizohej vetëm në botime. Ai ishte folës aktiv në konferenca proshqiptare në Romë, ku ndante podiumin me figura si profesori Da Gubernatis dhe Princin Gjika. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëthemeloi një komitet të quajtur Kombi (Kombësia) me Princin Gjika, për të përparuar lëvizjen nacionaliste shqiptare.
Mërgimi dhe trashëgimia:
Jeta e mëvonshme e Mërturit u shënua nga kontroversat dhe mërgimi politik për shkak të dënimit nga Sulltani Abdul Hamid II, të cilat u ndërthurën me legjendat që rrethojnë emrin e tij. Një portret i jashtëzakonshëm por pjesërisht fiktiv i tij gjendet në tekste satirike të vitit 1905, të atribuara poetit francez Guillaume Apollinaire, me titull “Note d’un vieux diplomate” i influencuar me të dhëna të rreme nga Faik Konica kur ai ndodhej në Londër.
Guillaume Apollinaire, paraqet një version shumë të ekzagjeruar të figurës së Mërturit, duke e përshkruar si aventurier, falsifikues kartëmonedhash dhe ish-prift që përdorte pseudonimin “Profesor Kont Vladan.” Po në këtë burim përmendet edhe një përçarje e ashpër me Princin Gjikën i përfshirë në çështje të dyshimta me pretendues të fronit shqiptar, dhe Markezi d’Aladro.
Megjithëse faktet bazë si bashkëpunimin e tij, lidhja me Princ Gjikën dhe drejtimi i L’Araldo d’Albania konfirmohen nga burime të tjera, akuzat për kriminalitet janë të rreme të induktuara nga Faik Konica ku gjatë kësaj periudhe qëndronte në Londër dhe takohej me Guillaume Apollinaire ku i shprehte këtij të fundit në shkrimet e diktuara se ai ishte shumë i vlefshëm për pozicionin e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Shkrimet e Apollinaire-it jenë një përzierje e shpifjeve politike, e antipative personale të Faik Konicës, si dhe e stolisjeve letrare të Apollinaire-it.
Edhe pse rrëfimi nuk mund të lexohet si dokument historik, ai pasqyron reputacionin kontradiktor dhe të dyfishtë që Mërturi kishte fituar në mërgatën shqiptare dhe në qarqet Europiane.

Nga njëra anë, ai kujtohet me të drejtë si një kontributor i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Përpjekjet e tij për të botuar gazeta nacionaliste në mërgim, veprat historike që forcuan identitetin kombëtar, dhe udhëheqja e brezit të ri intelektualësh përbëjnë një angazhim të sinqertë e të thellë për çështjen shqiptare. Eksperimentet e tij poetike e vendosin brenda kontekstit më të gjerë të ndikimeve evropiane në letërsinë shqipe.
Nga ana tjetër, trashëgimia e tij është e ngarkuar me polemika. Laikosja, përfshirja e mundshme në çështje të dyshimta financiare e politike, dhe konfliktet me figura të tjera shqiptare e paraqesin atë si një personalitet enigmatik dhe më vonë të tërhequr. Qoftë të sakta apo të ekzagjeruara, këto rrëfime nxjerrin në pah sfidat dhe përçarjet e brendshme që shoqëruan lëvizjen kombëtare të diasporës Shqiptare.
Gaspër Jakova Mërturi mishëron luftën pasionante, por shpesh të trazuar, për ndërtimin e një identiteti modern shqiptar përballë pengesave të mëdha duke lënë pas një histori që flet po aq për konfliktet brenda Rilindjes, sa edhe për vetë procesin e Rilindjes Kombëtare.
Jeta e Gaspër Jakova Mërturit përfaqëson konfliktin ndërmjet fesë dhe rebelimit, dijes dhe veprimit, idealizmit dhe mërgimit. Si poet i ndikuar nga Carducci, historian i gjenealogjisë shqiptare, gazetar i pavarësisë dhe edukator i rilindasve, ai mishëroi kompleksitetin intelektual të epokës së Rilindjes Kombëtare. Edhe pse figura të tjera si Fishta apo Gurakuqi e kanë tejkaluar në famë, Mërturi mbetet një ndërmjetës i rëndësishëm midis identitetit shqiptar dhe kulturës europiane, dhe një kontributor i nënvlerësuar në historinë intelektuale shqiptare.
Mërturi vdiq në vitin 1941, duke lënë pas një trashëgimi të shpërndarë, por me vlerë të madhe kulturore e historike. Fotografia e tij si pjesë e stafit mësimdhënës në Kolegj Adrianit në fillim të viteve 1900. Sot ai kujtohet si një figurë kalimtare, por thelbësore, midis botës jezuitë të shekullit XIX dhe nacionalizmit modern shqiptar të fillimit të shekullit XX.
* * *
Gaspar Jakova Mërturi dhe Kolegji Shën Adrianit të Shën Mitrit (San Demetrio Corone).
Prania e profesorëve nga Shqipëria në Kolegjin e Kolegjin Shën Adrianit të Shën Mitrit, lidhej gjithashtu me ardhjen nga Shqipëria të një numri gjithnjë e më të madh studentësh.
Në vitin shkollor 1903–1904, përveç hapjes së ndërtesave të rikonstruktuara, asistojmë edhe zgjerimin e ofertës didaktike të Institutit Ndërkombëtar Italo-Shqiptar. Komisioneri mbretëror, komm. Angelo Scalabrini, arriti të merrte njohjen e liceut–gimnaz (1903) dhe, gjëja më interesante, themelimin e një “Shkolle Normale” për përgatitjen e mësuesve fillorë që do të ushtronin profesionin e tyre në Shqipëri; si edhe themelimin, që nga viti 1912, të një “Shkolle Teknike” të tipit “bujqësor”.
Dokumentacioni i saktë i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane na ofron të dhëna të hollësishme mbi studentët dhe vendet e origjinës së tyre. Studentët e parë shqiptarë të regjistruar në vitin shkollor 1904–1905 janë gjithsej shtatë: pesë prej tyre nga Shkodra (Kamzì Nikollë, Kodelli Luigj, Kurti Gjon, Prenushi Lazer, Trushiani Pjetër), një nga Durrësi (Avrami Naum) dhe i shtati nga Berati (Besko Panaiota), të cilët ndoqën për tre vjet “Shkollën Normale”. Të gjithë gëzonin bursa studimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane.(Burimi: ASDMAE, Scuole S. Dem. 2, 1902–1922, b. 546, Lista e nxënësve të regjistruar në Shkollën Normale pranë Konviktit Italo-Shqiptar në Shën Demetrio Korone nga viti 1904–1905 deri në 1908–1909.)

Anselmo Lorecchio nga një pro-memorie i drejtohet ministrit Prinetti, ku përmend edhe çështjen e konkurrencës për ndikim ndërkombëtare në Veriun e Shqipërisë me Austrinë, dhe i rekomandon profesorin dhe priftin e Shkodrës, don Gaspare Jakova, i cili kishte shprehur dëshirën të shkonte në Kolegjin e Shën Demetrios për t’u dhënë mësim studentëve arbëreshë dhe shqiptarë (nga Shqipëria).
Duhet theksuar se kleri katol
ik i Shkodrës, dhe sidomos jezuitët që vepronin atje, ishin filo-austriakë, ashtu siç ishte edhe vetë prifti Gaspare. Megjithatë, Lorecchio, duke përkrahur kërkesën e meshtarit Jakova për postin e profesorit në Kolegjin e Shën Demetrios, vlerësonte se kjo do të sillte përfitime edhe në kuadër të strategjisë që synonte të largonte hierarkinë kishtare shqiptare nga ndikimi i drejtpërdrejtë austriak dhe ta afronte atë drejt orbitës së politikës italiane. Fjalët e tij drejtuar ministrit Prinetti ishin domethënëse:
“Në vazhdim të një tjetër pro-memorieje të së njëjtës datë, që i referohet Kolegjit Italo-Shqiptar të Shën Adrianit në Kalabri, I nënshkruari e sheh të arsyeshme të njoftojë Shkëlqesinë Tuaj se ndër kandidatët për postin e profesorit në këtë Kolegj është edhe i ndershmi famullitar Don Gaspare Yakova, lindur dhe banues në Shkodër të Shqipërisë. Don Yakova ka shprehur vetë spontanisht këtë dëshirë, përmes letrave të datave 4 dhe 10 korrik të vitit të kaluar, dhe duket se ka paraqitur një kërkesë të ngjashme edhe tek komisar Scalabrini, tashmë Komisioner Mbretëror i Kolegjit. Për të filluar të hyjmë praktikisht në idenë për të larguar klerin katolik të Shqipërisë nga vartësia e drejtpërdrejtë austriake dhe për ta tërhequr atë drejt një orbite të re veprimi italian, që për shqiptarët përbën shpresë dhe garanci lirie, më të afërt apo më të largët, nuk mund të kishte rast më të përshtatshëm; sepse Don Yakova është ndër priftërinjtë më të ndriçuar katolikë shqiptarë për kulturën e tij dhe gëzon një ndikim të madh për shkak të pozitës që mban në hierarkinë kishtare.”
Me vdekjen e Girolamo De Radës (Jeronim de Radës) në vitin 1903, ai që i pasoi atij në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Adrianit ishte pikërisht prifti Gaspare Jakova nga Shkodra, të cilit më pas i pasuan disa profesorë të tjerë nga Shqipëria: Aleksandër Xhuvani nga Elbasani (1906–1909), Kol Martinaj nga Shkodra (1909–1914), Mehdi bej Frashëri (1915–1918) dhe më pas Hamdi Karasi (1919–1920).
Edhe Luigj Gurakuqi i Shkodrës, një figurë politike me peshë e dy dekadave të para të shekullit, disa herë ministër, studioi në Kolegjin Shën Adrianit të Shën Mitrit (San Demetrio Corone) dhe dha mësim të gjuhës shqipe.
Autori: Erlet Shaqe
* * *
Referencat:
“Gaspër Jakova Mërturi (1870–1941)” – artikull biografik.
Genealogie dei Principi Albanesi — libër me genealogji princërish shqiptarë, botuar më 1904.
Grammatica della lingua albanese — gramatikë shqipe e botuar nga Mërturi në Frascati, 1904.
Il V centenario della nascita di Giorgio Kastriota-Skanderbegh (1404–1904) — punim historik-komemorativ, botuar më 1904.
Agenzia Balcanica ed Italiana — gazetë ditore italo-shqiptare që Mërturi themeloi.
The Herald of Albania (L’Araldo d’Albania) — periodik dyjavor, themeluar më 15 shtator 1904.
The Albanian National Awakening 1878–1912 — studim që e përmend Mërturin si “ex-jesuit” dhe publicist shqiptar.
Albanian Literature: A Short History – Robert Elsie; përmend kontributet e Mërturit në letërsinë dhe publicistikën shqiptare.
Studime bashkëkohore gjuhësore / historike që analizojnë Grammatica della lingua albanese (1904) si një nga gramatikat e hershme të shqipes.
Aktivitetet e Institutit Ndërkombëtar të Kolegjit të Shën Adrianit për Shqipërinë