Në zhurmën shurdhuese të teatrit tonë politik, vërehet një heshtje ulëritëse mbi thelbin e krizës: askush nuk guxon të artikulojë zgjidhjen e vërtetë, e lëre më të marrë përsipër barrën për ta jetësuar atë. Shqipëria sot është peng i një parie që ndjell konfliktin për të ruajtur monopolin e pushtetit të trashëguar komunist. Nga qeveria tek pseudo-opozita tradicionale e deri tek grupimet periferike, e vetmja ambicie e vërtetë e tyre është rikonfigurimi i pushtetit, një rishpërndarje e re e privilegjeve mes po të njëjtëve aktorë, të cilët aspirojnë vetëm një moderim të përkohshëm të statusit të tyre. Ajo që mungon thellësisht në këtë diskurs është kërkesa për një drejtësi radikale, një “Maxiprocesso” shqiptar, i cili të mos mjaftohet me retorikë, por të thellohet në hetimin, dënimin dhe konfiskimin e pasurive të të gjithë asaj parie politike 36 vjeçare, administrative dhe gjyqësore që e ka kthyer shtetin në plaçkë tregu.
Por kjo kërkesë nuk mund të burojë nga ata që e ngritën këtë sistem. Asnjë fraksion i establishmentit të sotëm politik nuk ka interes për një katarsis të tillë, sepse ata e dinë fare mirë se busulla e tyre morale nuk drejtohet nga interesi kombëtar, por nga mbijetesa e parisë dhe monopoleve të tyre. Është kjo arsyeja pse euforia e ditëve të fundit në rrjetet sociale, ku politikanët të korruptuar rreken të përqafojnë kauzat e qytetarëve dhe studentëve, nuk është thjesht hipokrizi; është një maskaradë e neveritshme. Njerëz që deri dje ushqeheshin me fondet e shtetit, të bashkisë apo të partisë, dhe krimit sot përpiqen të rishpikin veten si qelibarë të moralit publik, duke fyer rëndë inteligjencën dhe dinjitetin e këtij populli, të paktën ata që kanë mbetur me pak dinjitet.
Nëse hedhim sytë pas, historia na mëson një të vërtetë të hidhur por jetike: shpëtimi i kombit shqiptar në udhëkryqet e tij më të errëta nuk ka ardhur asnjëherë nga establishmenti i kalbur politik i brendshëm. Ashtu si në epokën e ndritur të Rilindjes Kombëtare, forca motorike e ndryshimit real ka buruar nga mërgata. Ishin mendjet e papërlyera jashtë kufijve gjeografikë por thellësisht të ankoruara në kufijtë shpirtërorë të atdheut ato që i dhanë formë identitetit tonë. Edhe sot, e vetmja shpresë e mbetur qëndron tek ajo pjesë e diasporës që ruan akoma sadopak integritetin moral. Nuk flas për atë diasporë të tjetërsuar që vjell vrer mbi rrënjët e saj për t’u ndier më e pranueshme nga të huajt, por për ata shqiptarë të heshtur e të devotshëm, që sakrifikojnë dijen, kohën dhe financat e tyre për të mbajtur gjallë idenë e një Shqipërie të lirë, ne dhe kolegët tanë në heshtje dhe modesti mundohemi të jemi të denjë në këto vepra. Fatkeqësisht, jemi të paktë, sepse infektimi i gjatë i trashëgimisë totalitare komuniste ka gërryer jo vetëm tokën, por edhe shpirtin shqiptar.
Për të gjetur rrugëdaljen, duhet të kthehemi tek themeluesit e vetëdijes sonë. Rilindasit e kombit tanë na vizatuan një hartë shpirtërore të cilën ne e kemi braktisur. Ata e kuptonin, ashtu siç duhet ta kuptojë sot çdo student e qytetar i këtij vendi, se padrejtësia ekonomike dhe mizerja shoqërore nuk janë fate të pashmangshme. Ato mund dhe duhet të shërohen edhe pa pasur nevojë t’u dorëzohemi forcave hibride komuniste apo neokomuniste me nuanca trockiste, të cilat, qofshin në pushtet apo në opozitë, mbartin në thelb një urrejtje të thellë ndaj familjes dhe atdheut tonë.
Por tragjedia e vërtetë e shqiptarëve mbetet vështirësia për t’u shkëputur nga trauma totalitare dhe nga ai sadizëm mendor që diktatura nguliti në vetëdijen tonë. Ky është një popull i keqtrajtuar që shpesh shfaq simptomat e një magjepsjeje fatale pas dhunës dhe utopive shkatërruese. Fantazma e këtij masono-komunizmi hibrid, që premton parajsën por sjell skllavërinë, po endet sërish nëpër Europë dhe po gjen terren të frikshëm edhe tek ne. Është një amnezi historike që na bën të përsërisim të njëjtat gabime. Edhe sot, mes një shoqërie të dërmuar shpirtërisht, shohim individë të ekzaltuar pas teorive radikale të njëjtat utopi që paria komuniste aktuale eksperimentoi me mizori mbi lëkurën tonë gjatë dekadave të fundit.
Çdo shoqëri që aspiron lirinë dhe mirëqenien, përpara se të kërkojë shërimin, duhet të pranojë diagnozën. Ilaçi ynë gjendet tek mendimi i pavarur, tek intelektualët dhe profesionistët e diasporës që ofrojnë zgjidhje shtetformuese, dhe jo tek influencuesit e rinj të lëvizjeve pseudopopuliste apo trockiste qofshin këto nisma si ato të Qorrit, Lapajt, Shehajt etj, të cilat i serviren publikut si risi, por që thellë-thellë ushqejnë të njëjtin model të vjetër të demagogjisë dhe populizmit sipërfaqësor. Shqiptarët gjenden në një udhëkryq të rrezikshëm ku, për fat të keq, ende refuzojnë të njohin sëmundjen e tyre, edhe pse ilaçi është aty.
Në thelb, komunizmi dhe derivatet e tij edhe këto të sotmet, nuk ishin kurrë thjesht një sistem mirëqënie; ato ishin dhe mbeten një ide antikombëtare, një projekt për shkatërrimin e dinjitetit të individit. Dhe siç e dëshmon rruga e gjatë e njerëzimit, një ide nuk mund të vritet me dhunë as me ligje boshe, ajo mund të asgjësohet vetëm përmes triumfit të një ideje më të lartë, më të fuqishme dhe më të bukur, një Ideje Kombëtare. Kjo është zgjidhja që ofrojmë ne si diasporë dhe çdo mendje e lirë sot, rikthimi tek kombi, tek e vërteta dhe tek përgjegjësia morale, si i vetmi shpëtim nga humnera ku na kanë zhytur. Mbijetesa jonë nuk është thjesht një çështje institucionesh, por një betejë e pashmangshme për vetëdijen, lirinë dhe thelbin e qenies sonë historike.